David dhe Victoria Beckham kanë zgjedhur të reagojnë në mënyrë të heshtur, por simbolike, pas deklaratave të ashpra të djalit të tyre të madh, Brooklyn Beckham, i cili së fundmi bëri të ditur se nuk dëshiron pajtim me familjen.
Teksa tensionet familjare janë përshkallëzuar dhe Victoria raportohet se është thellësisht e tronditur nga situata, çifti Beckham ka rikujtuar momente të bukura nga e kaluara me Brooklyn-in.
Reagimi erdhi përmes një postimi nostalgjik të fotografit britanik Platon, i cili publikoi disa foto arkivore nga viti 2006.
Në një prej imazheve, David Beckham shfaqet pa bluzë, me emrin “Brooklyn” të tatuazhuar në shpinë. Platon ndau edhe kujtime nga ajo ditë, duke përshkruar sesi Victoria kishte mbërritur në studio me fëmijët, ndërsa Brooklyn dhe Romeo, ende të vegjël, vraponin me topa futbolli dhe përqafonin të atin në mes të setit fotografik.
Ai e përshkroi momentin familjar si spontan, emocional dhe shumë domethënës, duke theksuar se fama shpesh ka një çmim të rëndë për familjen.
Nën postim, David Beckham komentoi shkurt:
Kujtime të bukura

Ndërsa Victoria shtoi:
Më rikthen kujtime shumë të bukura!
-komente që u interpretuan si një përpjekje për të theksuar lidhjen emocionale me djalin e tyre, pavarësisht krizës aktuale.
Reagimi i tyre vjen vetëm pak ditë pasi Brooklyn publikoi një deklaratë të gjatë, ku akuzoi prindërit për manipulim mediatik, presion financiar dhe sjellje të papërshtatshme gjatë dasmës së tij me Nicola Peltz në vitin 2022.
Ai pretendoi se familja e tij ka vënë imazhin publik mbi marrëdhëniet personale dhe se largimi prej tyre i ka sjellë qetësi dhe largim të ankthit.
Ndërkohë, DJ-i i dasmës, Fat Tony, ka dhënë versionin e tij për incidentin e shumëpërfolur të kërcimit, duke thënë se situata ishte e sikletshme për shkak të momentit, por se nuk kishte qëllime të këqija dhe se gjithçka u nxit nga ndërhyrja e këngëtarit Marc Anthony.
Pavarësisht përpjekjeve për sqarime, përplasja mes Brooklyn-it dhe familjes Beckham vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes mediatike, ndërsa publiku ndjek nga afër një nga krizat familjare më të bujshme të showbiz-it ndërkombëtar.