Shkencëtarët e Zelandës së Re kanë zbuluar së fundmi një peshkaqen fantazmë të rrallë, një lloj peshku pak i njohur që jeton në thellësitë e oqeanit. Peshkaqenët fantazmë, të njohur si “chimaera” janë të rrallë, dhe shikimi i të vegjëlve të tyre është edhe më i pazakontë. Peshkaqeni i sapolindur u kap në një thellësi prej rreth 1.2 km nën ujë pranë ishullit jugor. Shkencëtarët thonë se zbulimi thellon të kuptuarit e fazës së mitur të specieve.
Zbulimi u bë rastësisht gjatë kryerjes së një trake kërkimore të popullatave nënujore dhe shkencëtarët e kanë cilësuar atë “gjetje të zotit”, pasi do t’i ndihmojë ata që të kuptojnë më mirë biologjinë dhe ekologjinë e këtyre specieve. Sipas shkencëtarëve nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Ujit dhe Atmosferës embrionet e peshkaqenëve fantazmë zhvillohen në kapsulat e vezëve të vendosura në dyshemenë e detit dhe ato ushqehen me një të verdhë veze derisa të jenë gati të çelin.

Peshkaqenët e rinj fantazmë mund të shfaqin karakteristika të ndryshme nga versionet e tyre të rritur, gjë që e bën zbulimin më domethënës. Shumica e llojeve të peshkaqenëve fantazmë banojnë në det të thellë, megjithëse një pjesë e vogël e specieve preferojnë të jetojnë në ujërat e cekëta bregdetare.
Ndërkaq, ai që njihet si “peshkaqeni më i rrahur i botës” është kapur së fundmi në kamera nga një kinematograf uji në jug të Australisë. Në pamjet e shpërndara, krijesa 4 metra e gjatë shihet që noton qetësisht drejt filmuesit Dean Spraakman, në ujërat pranë ishujve Neptune. Teksa kafsha noton pranë tij, dhjetra gërvishtje e plagë të të gjitha llojeve shihet që i mbulojnë trupin, në flatra, velëza në kokë e në bisht. Filmimi 1-minutësh tregon dhe shenja kafshimesh, teksa shumica e tyre janë në anë të djathtë të peshkaqenit.