Bota

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, KQZ: Pjesëmarrja në votime arrin deri në 34.63% deri në orën 16:00!

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Bullgari vijon të rritet me ritëm të fortë. Deri në orën 16:00, ajo arriti në 34.63%, rreth 9 pikë përqindje më e lartë se në zgjedhjet e fundit.

Shifrat u bënë publike nga zëvendëskryetarja dhe zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Rositsa Mateva, e cila theksoi se kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me 26.25% në të njëjtën orë në votimin e kaluar.

Zona me pjesëmarrjen më të lartë rezulton të jetë rajoni i 23-të në Sofje me 43.38%, ndërsa më e ulëta në Kardzhali me 23.34%.

Nga ana tjetër, procesi nuk ka kaluar pa probleme. Deri tani janë regjistruar 182 ankesa dhe sinjalizime, një numër dukshëm më i lartë se në zgjedhjet e mëparshme.

Shumica e tyre lidhen me vështirësi në votimin elektronik. Qytetarët kanë raportuar makina të bllokuara, vonesa në proces dhe radhë të gjata në qendrat e votimit.

Sipas KQZ-së, 75 makina votimi janë nxjerrë jashtë funksionit brenda vendit, ndërsa jashtë tij janë raportuar vetëm disa raste, të cilat janë zgjidhur.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se, në përgjithësi, procesi zgjedhor po vijon normalisht si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Ndërkohë, votimi ka përfunduar tashmë në disa zona jashtë Bullgarisë, përfshirë Australi, Zelandë të Re dhe disa vende aziatike.

181 sinjalizime për manipulim votash janë regjistruar deri në orën 14:00 në Bullgari, ndërsa 13 procedime penale janë hapur nga autoritetet.

Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Georgi Kandev, i cili theksoi se ndërhyrjet policore kanë nisur që në orët e para të mëngjesit.

Në Smolyan janë zhvilluar dy operacione, ku policia ka kontrolluar një automjet dhe tre banesa. Si rezultat, janë arrestuar tre persona dhe janë sekuestruar 40 mijë euro, të dyshuara për blerje vote.

Sipas tij, me afrimin e mbylljes së procesit, aktiviteti për blerje vote rritet, por policia është e përgatitur dhe “ka surpriza” për shkelësit.

Më herët gjatë ditës, deri në orën 11:00, ishin raportuar 93 sinjalizime dhe ishin hapur 8 procedime penale, çka tregon një rritje të ndjeshme të rasteve brenda pak orësh.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë.