Health & Beauty Lifestyle

Zgjoheni më të lodhur se kur u shtritët? Mjeku zbulon gabimet që po ju shkatërrojnë gjumin!

Nëse zgjoheni shpesh gjatë natës ose ndiheni më të rraskapitur në mëngjes sesa kur jeni shtrirë për të fjetur, specialistët thonë se problemi mund të lidhet me zakonet tuaja të mbrëmjes.

Mjeku britanik Amir Khan ka ndarë disa këshilla të thjeshta për personat që vuajnë nga pagjumësia, duke theksuar se zgjidhja nuk gjendet te trendet apo “mrekullitë” e rrjeteve sociale, por te përmirësimi i higjienës së gjumit.

Sipas tij, gjumi i dobët ndikon pothuajse në çdo aspekt të jetës, nga përqendrimi dhe vendimmarrja deri te tensioni i gjakut dhe shëndeti mendor.

Orari i qëndrueshëm është çelësi!

Një nga këshillat kryesore është të flini dhe të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë, edhe gjatë fundjavës. Kjo ndihmon trupin të forcojë orën biologjike dhe të krijojë ritëm të rregullt gjumi.

Ekspertët rekomandojnë synimin për 7 deri në 8 orë gjumë çdo natë.

Krijoni një rutinë qetësuese para gjumit!

Amir Khan sugjeron që 30 deri në 60 minuta para gjumit të krijoni një rutinë relaksuese: dush i ngrohtë, shtrirje të lehta, meditim ose lexim libri.

Ai këshillon të shmangen pajisjet elektronike, pasi ekranet mund ta bëjnë më të vështirë rënien në gjumë.

Mos merrni stresin në shtrat!

Bisedat emocionale, debatet apo diskutimet për punën para gjumit mund të rrisin stresin dhe ta mbajnë trurin aktiv.

Stresi konsiderohet një nga arsyet më të zakonshme pse njerëzit nuk arrijnë të flenë mirë.

Kujdes me ilaçet e gjumit!

Mjeku paralajmëron që ilaçet e gjumit nuk duhet të jenë zgjedhja e parë. Sipas tij, ato mund të krijojnë varësi dhe nuk zgjidhin shkakun real të problemit.

Në vend të tyre, ai këshillon që këto zakone të ndiqen me këmbëngulje për 2 deri në 4 javë, pasi shpesh aq kohë duhet që trupi të reagojë pozitivisht.

Në shumë raste, ndryshimet më të vogla në rutinë mund të sjellin përmirësime të mëdha në cilësinë e gjumit.