Aktualitet

Zjarret në Delvinë, policia nis evakuimin e banorëve të fshatit Kalasë!

Pasi zjarri në fshatin Kalasë në Delvinë vijon, policia ka nisur evakuimin e banorëve.

Forcat e policisë janë duke evakuuar të moshuar edhe fëmijë.

Ata kanë bërë rezistencë ndaj policisë, pasi duan që të jenë afër banesave të tyre. Aktualisht në këtë fshat janë vetëm 2 zjarrfikëse të Delvinës.

Banorët kanë kërkuar edhe ndihmë nga ajri për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit, i cili është nisur drejt fshatit Kalasë, ndërsa po shkojnë edhe 2 zjarrfikëse nga Himara të FA.

Arben Kingji, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndodhet në zonën e Qafës së Buallit dhe Planit të Bardhë në Bulqizë, në krye të operacionit për shuarjen e dy vatrave aktive të zjarrit. Ai konfirmoi se 35 trupa të FA janë angazhuar vetëm në këtë zonë.

Kingji tha se në koordinim me emergjencat civile dhe Agjencinë e Mbrojtjes Civile janë marrë të gjitha masat edhe për evakuim, nëse do të jetë e nevojshme.

‘Që në orët e para të mëngjesit jemi në zonën e Bulqizës, sepse jemi në rajonin e Qafës së Buallit ku jemi të angazhuar 35 forca pasi kemi dy vatra zjarri, njëra është këtu në Bulqizë dhe tjetra është në qafën e buallit. FA në zbatimin dhe koordinim të plotë me emergjencat civile po punojnë në gjithë qarqet e vendit. Në qarkun Dibër, jemi në Qafën e Buallit dhe Bulqizës, në Lezhë jemi në Rrëshen, në Vlorë jemi në Himarë, Piqeras dhe në Kaninë. Në Berat kemi në Galinë, në Gjirokastër në Fushë- Bardhë dhe në qarkun e Korçës jemi në Pustec. Nëse do të kërkohet evakuim janë marr masat e plota. Jemi në kordinim edhe me agjencinë e mbrojtjes civile, FA janë të angazhuar në përballimin me sukses të kësaj situate’, tha ai.