Dhjetë të pandehur, tetë burra dhe dy gra, të moshave 41 deri në 60 vjeç akuzohen për ngacmim online të Brigitte Macron-it e përballen me deri në 2 vjet burg nëse shpallen fajtorë. Disa të pandehur në gjyqin e Parisit ndanë përmbajtje nga amerikania Candace Owens.
Në një postim, njëri prej tyre pretendoi se “2,000 njerëz janë gati të shkojnë derë më derë në Amiens”, qyteti i lindjes së çiftit presidencial “për të zbuluar të vërtetën rreth Brigitte”.
Sipas prokurorëve, të pandehurit postuan komente të shumta keqdashëse në lidhje me gjininë dhe seksualitetin e zonjës së parë, me disa që e lidhën ndryshimin e moshës mes çiftit presidencial me “pedofilinë”.
Brigitte Macron ngriti padi penale në gusht 2024. Pas kësaj nisën hetime dhe arrestime në dhjetor 2024 e shkurt 2025. Avokati i saj nuk iu përgjigj pyetjeve të AFP-së dhe nuk dihet nëse vetë zonja e parë do të paraqitet në seancat dëgjimore.
Midis të pandehurve është Aurelien Poirson-Atlan, një eksperte marketingu 41-vjeçare e njohur në mediat sociale me pseudonimin Zoe Sagan, e cila shpesh shoqërohet me qarqe teoricienësh konspiracioni.
Gjithashtu e akuzuar është Delphine J., 51 vjeç, që njihet me emrin Amandine Roy në internet. Në vitin 2021, publikoi një intervistë katër orëshe me “gazetaren e pavarur” Natacha Rey në kanalin e saj në YouTube, ku pretendoi se Brigitte Macron, e lindur Trogneux, është në të vërtetë “Jean-Michel Trogneux”, emri i vëllait të saj.
Dy gratë u urdhëruan të paguanin dëmshpërblim për Brigitte Macron-in e vëllanë e saj në vitin 2024, por vendimi u rrëzua më vonë në apel. Zonja e Parë që atëherë e ka referuar çështjen në Gjykatën Supreme Franceze.
Teoritë rreth lindjes së supozuar të Brigitte Macron-it si burrë dolën gjatë fushatës presidenciale të Macron-it në vitin 2017 dhe vitet e fundit janë përhapur nga qarqet e ekstremit të djathtë e ato konspirative në Francë dhe SHBA, ku të drejtat transgjinore janë bërë një nga çështjet kryesore socio-politike.
Në korrik, çifti presidencial ngriti padi për shpifje në SHBA kundër prezantueses konservatore Candace Owens, e cila prodhoi një serial të quajtur “Becoming Brigitte” dhe pretendoi se Zonja e Parë kishte lindur burrë.
Avokati i tyre amerikan tha se Macron do t’i paraqesë gjykatës prova shkencore dhe fotografi që i hedhin poshtë këto pretendime.