Po zhvillohet protesta e dytë radhazi në Tiranë, në mbrojtje të Zvërnecit. Mijëra qytetarë janë mbledhur fillimisht para Ministrisë së Brendshme dhe më pas marshuan në këmbë drejt Kryeministrisë. Ata thërrasin “dorëheqje”, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.
Qytetarët mbajnë në duar pankarta ku shkruhet “Shqipëria nuk është në shitje”, “Anulo projektin” apo edhe slogane të drejtpërdrejta politike si “Rama në burg, Berisha në burg”. Protestuesit fajësojnë të dy krahët e politikës për atë që po ndodh në Zvërnec.
Një ditë më parë mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjeve në rrjetet sociale për të protestuar në kryeqytet. Një tubim marashim që nisi te Drejtoria e Policië së Tiranës, vijoi drejt Ministrisë së Brendshme dhe përfundoi para Kryeministrisë.
Njëzëri, nga protesta që po mbahet sot në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ka pasur thirrje kundër Policisë së Shtetit.
Duke marrë shkas nga incidenti në Zvërnec, ku një protestues u dhunua nga polici privat dhe policia nuk ndërhyri, sot protestuesit në Tiranë bën thirrje që policia të heqë kapelet.
“Nuk është turp të jesh polic, por mos të zbatosh ligjin kur ke veshur uniformën”, tha një protestuese.
Nga Berati, kryeministri Edi Rama iu përgjigj dhjetëra protestuesve që u mblodhën për herë të dytë në Tiranë për të kundërshtuar projektin për resortin luksoz në Zvërnec, me akuzat se ndërtimi shkatërron mjedisin dhe biodiversitetin. Shefi i qeverisë u kujdes të nënvizojë edhe njëherë që zona e Pishë-Poros është zonë e mbrojtur e kategorisë 5, por që lejon zhvillimin dhe ndërtimin. Në asnjë rast, shtoi Rama, natyra nuk është kërcënuar dhe kurrë Zvërneci nuk është hequr nga zona e mbrojtur.
Protestuesve u tha se kanë rënë pre e manipulimeve dhe se toka nuk është i shitur izraelit siç po gëlon në rrjet, por bëhet fjalë për një projekt që do të zhvillohet nga dy vëllezër nga Katari që vlera e investimit arrin në 4 mld euro. Kryeministri tha se ata që çohen në protesta, duhet të nxjerrin edhe projektin të cilin kontestojnë, por theksoi se projekti arkitektonik nuk ekziston, pasi ende po bëhet studimi mjedisor.