Aktualitet

15 të dënuar nga IEVP Durrës transferohen në burgun e sigurisë së lartë në Peqin!

Pas arratisjes së Altin Ndocit, dy ditë më parë, 15 të burgosur të IEVP Durrës janë transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Mes të transferuarve si persona me rrezikshmëri të lartë janë edhe Lulzim Berisha, Orges Molla, Juxhin Koka, të arrestuarit gjatë operacioneve “Ura” e “Revansh”, si dhe tre shtetas të huaj, mes tyre dy brazilianë e një venezuelian. Transferimi u realizua nën masa të larta sigurie, nën shoqërimin edhe të mjeteve të shumta të Policisë së Shtetit.

Vendimi për transferimin e eksponentëve më të rrezikshëm të botës së krimit erdhi pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, më 13 janar.

Ndërkohë, burgu i Durrësit, i njohur edhe si “burgu i VIP-ave”, u vu në fokus të vëmendjes për shkak të kushteve dhe nivelit të sigurisë. 206 të dënuar e të paraburgosur u rivlerësuan për shkallën e rrezikshmërisë dhe më problematikët u përzgjodhën për t’u sistemuar në institucionin e vuajtjes së dënimit në Peqin.

54 janë të dënuar dhe 152, të paraburgosur. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari urdhëroi Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve që të hartonte një plan të ri e të rishpërndante nëpër seksione të burgosurit, bazuar në rrezikun shoqëror që kanë.

Paralelisht, vijojnë kërkimet për kapjen e Altin Ndocit, personazh i botës së krimit, i konsideruar “ushtar i klanit Çopja”. U arrestuan 8 zyrtarë, mes tyre shefi i Policisë së Burgut në Durrës, Dezdemon Pazaj, 5 gardianë, specialistja e informacionit dhe kryeinfermieri i Infektivit, që i kishte përcaktuar diagnozën.