Aktualitet Politikë

180-vjetori i vdekjes së poetit rilindas, Rama: Shqipëria 2030, “Viti Europian i Naimit”!

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama e cilëson “mister të gëzueshëm” përkimin e avancimit të negociatave me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit. Naim Frashërin e quan “udhërrëfyesin gjenial” të aspiratës shekullore të shqiptarëve drejt Europës.

Rama shpreh mirënjohje për figurën e Naim Frashërit, të cilin e quan “Shqipëribërësi i madh dhe i pavdekshëm”, ndërsa thekson se Shqipëria synon që në vitin 2030, në 130-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, të kurorëzojë integrimin europian.

Sipas kryeministrit, “Shqipëria 2030” do të jetë viti kur vendi do të bëhet pjesë e familjes europiane, duke e cilësuar atë si “Vitin Europian të Naimit”.

Eshtë një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.

Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë.

Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon.

Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.