Sot shënohet 35-vjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, në qendër të Tiranës. Më 20 Shkurt të vitit 1991, qytetarët u bashkuan në një protestë madhështore, e cila u finalizua me rrëzimin e monumentit të diktatorit, që u tërhoq me kavo. Kjo datë shënoi fundin e regjimit komunist në Shqipëri.
35 vite më parë, mijëra njerëz nga i gjithë kryeqyteti, burra, gra, studentë e gjimnazistë mbushën rrugët ndërsa prej tyre u shkëput një turmë prej qindra personash e në orën 14:05 minuta rrëzuan monumentin e diktatorit komunist.
Këto zhvillime ndodhnin në kohën kur më shumë se 700 studentë ishin në ditën e tretë të grevës së urisë, me kërkesën që universitetit t’i hiqej emri i Enver Hoxhës. Ndërkaq, vetëm dy muaj më parë, regjimi i atëhershëm komunist u detyrua të pranonte pluralizmin politik e kjo ishte ndër arritjet e para të Lëvizjes Studentore të Dhjetor të 1990-ës.
Më 12 dhjetor të atij viti u njoftua vendimi për krijimin e Partisë Demokratike, si e para forcë politike alternative opozitare pas afro 50 viteve diktaturë komuniste. 20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist.
Një nga kavot që u përdor për të tërhequr monumentin, gjendet i ekspozuar në pavijonin e Terrorit Komunist, pranë Muzeut Historik Kombëtar.