Aktualitet

3 vatra zjarri aktive në Vlorë e Korçë, 2 nën monitorim!

Zjarret në vend, orët e fundit kanë qenë kritike për tre zona me vatra që po vijojnë të djegin pyje e bimësi. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e 27 gushtit deri sot në të njëjtën orë, janë raportuar 14 vatra zjarri, 3 ende aktive, 2 nën monitorim. Të tjerat u izoluan dhe u shuan.

Njoftimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht, janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave:

-3 janë ende aktive

-2 janë nën monitorim

-pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Vatrat aktive:

-Në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë, vatra e nisur më 25 gusht vijon në pyllin e Pishë-Poros. Sot në terren po punojnë 30 forca zjarrfikëse e bashkiake dhe 20 efektivë të FA me 3 automjete. Zjarri ka intensitet të ulët, duke djegur kryesisht trungje brenda vatrës.

-Në fshatin Miras, bashkia Devoll, vijon zjarri në një sipërfaqe pyjore, ku po punojnë rreth 70 forca vendore të MZSH, bashkisë dhe vullnetarë.

Vatra në monitorim:

Skrapar (Bogovë) – Zjarri në pyllin me pisha është vënë nën kontroll, ndërsa po mbahet në monitorim nga forcat zjarrfikëse dhe bashkiake.

Pezë Helmës, vatra të izoluara në zonën e Kodrave të Caushit po vijojnë të monitorohen.

Korçë (Parku Natyror Gërmenj)

Vatra e riaktivizuar në zonën e piramidave 14–15 është izoluar dhe po monitorohet nga forcat operacionale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit, bashkitë, Forcat e Armatosura dhe vullnetarët mbeten të angazhuar në terren për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.