Jeff Bezos dhe e fejuara e tij, Lauren Sanchez, janë gati të kurorëzojnë dashurinë e tyre në një ceremoni madhështore në Venecia. Ndërsa përgatitjet për dasmën po shkojnë drejt fundit, çifti ka bërë një kërkesë të veçantë për të ftuarit: të mos sjellin dhurata.
Sipas “ABC News”, të cilët kanë arritur të sigurojnë një kopje të ftesës, thuhet:
Jemi të lumtur që jeni me ne! Kemi vetëm një dëshirë: ju lutem, mos sillni dhurata. Në vend të kësaj, ne po bëjmë donacione në nderin tuaj dhe si mirënjohje për udhëtimin tuaj në Venecia për të festuar së bashku.

Ftesa, e dërguar që në muajin maj, përmend tre organizata bamirësie të cilave po u dhurohet: Zyra e UNESCO-s në Venecia për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit, CORILA për restaurimin e ekosistemeve të lagunës, dhe Universiteti Ndërkombëtar i Venedikut për të mbështetur kërkimin dhe edukimin në zgjidhje të qëndrueshme.
Ky gjest i çiftit vjen si një mënyrë për të dhënë kontribut në ruajtjen e bukurisë dhe kulturës së Venecias, një qytet që e kanë zgjedhur për ditën e tyre të madhe.
Dasma pritet të zgjasë tre ditë, duke nisur të enjten, ndërsa ceremonia do të mbahet të premten në Bazilikën e San Giorgio Maggiore, e pasuar nga festa e madhe të shtunën.
Të ftuar VIP do të jenë emra të njohur si Tom Brady, Kim Kardashian, Kris Jenner dhe Eva Longoria.