Simon Cowell mund të ketë bërë hapin e madh në jetën e tij personale. Dyshimet për një martesë të fshehtë me partneren e tij prej shumë vitesh, Lauren Silverman, janë shtuar ndjeshëm pasi ajo ka fshirë llogarinë e saj të vjetër në Instagram dhe dyshohet se ka hapur një të re me emrin “LaurenMichelleCowell”.
Llogaria e re, e cila është private, ndiqet nga mikja e saj e ngushtë, Lauren Sanchez, duke shtuar më shumë peshë spekulimeve se çifti mund të jetë martuar në fshehtësi.
Megjithatë, sipas raportimeve të “Daily Mail”, fotot më të fundit të Laurenit, të postuara rreth nëntë ditë më parë, tregojnë se ajo nuk mban unazë martese, por vetëm atë të fejesës, të cilën Simon ia dhuroi në vitin 2021.
Nga ana tjetër, revista “HELLO!” raporton se më shumë detaje për jetën personale të producentit 65-vjeçar mund të zbulohen në dokumentarin e tij të ardhshëm në Netflix, i cili pritet të përfshijë edhe momente nga jeta e tij private.
Simon i propozoi Laurenit gjatë një pushimi në Barbados, përpara djalit të tyre, Eric, dhe djalit të madh të Laurenit, Adam. Edhe pse dikur Cowell kishte deklaruar se “nuk beson në martesë”, duket se me kalimin e viteve ka ndryshuar qëndrim.
Burime pranë çiftit thanë për “People” se marrëdhënia e tyre është më e fortë se kurrë, sidomos pas periudhës së vështirë që Simon kaloi për shkak të problemeve shëndetësore.
Historia e dashurisë së tyre nisi në mënyrë të bujshme në vitin 2013, mes shumë polemikash, por me kalimin e kohës, lidhja është konsoliduar.
Sot, fansat e Simon Cowell po presin me padurim të mësojnë nëse producenti legjendar i “X Factor” dhe “Britain’s Got Talent” ka zgjedhur ta kurorëzojë në heshtje dashurinë e tij shumëvjeçare.