Një aksident i rëndë më vdekje ka ndodhur rreth mesnatës në segmentin rrugor “Katër Rrugët e Shijakut” në fshatin Pjezë. Policia njofton se një automjet i drejtuar nga një 19-vjeçar është përplasur me një tjetër makinë me shofer një 26-vjeçar, i cili për fat të keq ndërroi jetë në vendngjarje. Policia do të vijojë veprimet procedurale për aksidentin fatal, më i fundit që përgjak rrugët tona.
Njoftimi zyrtar:
Rreth orës 23:55, në segmentin rrugor “Katër Rrugët e Shijakut”, fshati Pjezë, automjeti tip Volkswagen me drejtues shtetasin F. R., 19 vjeç, banues në Shijak, është përplasur me automjetin tip Ford me drejtues shtetasin G. K., 26 vjeç, banues në Sukth, Durrës. Si pasojë, shtetasi G.K. ka humbur jetën në vendngjarje.
Ndërkaq, 19-vjeçari u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërsa shtetasi F. R. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, nën mbikëqyrjen e shërbimeve të Policisë, pasi do të vijojnë veprimet procedurale për aksidentin e ndodhur. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Gjatë muajit korrik 2025 u regjistruan 131 aksidente, ku humbën jetën dhe u plagosën rëndë 194 persona, pjesa më e madhe e të cilëve, burra. Edhe pse në dukje janë shifra të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të përpunuara të INSTAT-it, ka më pak aksidente e pasoja. Në korrik 2024 u regjistruan 146 aksidente, 16% më shumë se korriku 2025, me 191 persona, të vdekur dhe të plagosur. INSTAT-i, në të dhënat zyrtare, nuk e përcakton numrin e saktë të të vdekurve apo të plagosurve.
Situata me numër aksidentesh në rënie paraqitet edhe për periudhën e 7 muajve të parë të këtij viti. Nga janari e deri në në korrik 2025 ndodhën 767 përplasje, me 1 mijë e 77 viktima e të lënduar, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u regjistruan 16% më shumë, 913 aksidente me 1242 viktima dhe të plagosur.