Aktorja Jennie Garth ka kujtuar një nga periudhat më të errëta të jetës së saj. Më shumë se një dekadë pas ndarjes nga Peter Facinelli, ylli i serialit “Beverly Hills, 90210” i ka përshkruar me detaje pasojat e dhimbshme të këtij kapitulli në kujtimet e saj, me titull “I Choose Me: Chasing Joy, Finding Purpose, and Embracing Reinvention”. Në libër, i cili pritet të publikohet më 14 prill, Garth tregon se pas ndarjes kishte rënë në një gjendje të rënduar emocionale dhe se, për një periudhë, u përpoq ta “mjekonte” veten me alkool dhe tableta deri në pikën sa një natë iu desh t’i bënin lavazh stomaku.
Pas kësaj, Jennie e cila ishte e martuar me Facinellin për 12 vjet dhe me të cilin ka tre vajza kaloi një periudhë në një qendër rehabilitimi. Duke u kthyer pas në kohë, ajo tha se e ndiente sikur “drita po i fikej vërtet”. Në një intervistë për People, aktorja u shpreh se në atë periudhë nuk rrezatonte aspak energji pozitive dhe e vërente këtë edhe te vetja. “Nuk rrezatoja energji pozitive. E shihja në pasqyrë. Mund ta shihja ndikimin negativ që kishin tek unë ajo dhimbje dhe ai zemërim”, tha ajo.
Gjithçka ndryshoi kur vendosi se duhej të bënte një kthesë. “Ndodhi një ndryshim i çuditshëm kur një ditë thashë: ‘Nuk dua ta mbaj më këtë barrë. Po ndikon në marrëdhëniet e mia dhe në mënyrën si ndihem. Duhet ta lëshoj. Duhet ta fal.;”. Sot, Jennie thotë se ajo dhe Peter kanë arritur t’i rregullojnë mosmarrëveshjet sa i përket rritjes së përbashkët të fëmijëve, ndërsa ka kuptuar edhe sa e rëndësishme është të vendosë veten në plan të parë.