Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë janë ndërprerë përfundimisht, si shkak i asaj që e quajti “reklamë mashtruese, në të cilën ish-presidenti i ndjerë, Ronald Reagan, fliste negativisht për tarifat“.
Trump vendosi tarifa ndaj çelikut, aluminit dhe automjeteve kanadeze në fillim të këtij viti, duke bërë që Kanadaja të përgjigjej me masa të ngjashme. SHBA-të dhe Kanadaja ishin duke biseduar prej disa javësh për një marrëveshje të mundshme në sektorët e çelikut e të aluminit.
Bazuar në sjelljen e tyre skandaloze, të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë janë ndërprerë, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.
Doug Ford, kryeministër i provincës kanadeze Ontarios, tha në fillim të kësaj jave se reklama nga provinca e tij me mesazhe kundër tarifave kishte tërhequr vëmendjen Trumpit. Reklama shfaq Reagan-in, i cili ishte republikan, duke i kritikuar tarifat ndaj mallrave të huaja dhe duke thënë se ato çojnë në humbjen e vendeve të punës e në luftëra tregtare.
Kam dëgjuar se presidenti e pa reklamën tonë. Jam i sigurt se nuk ishte shumë i kënaqur, u shpreh Ford.
Fondacioni Presidencial, Ronald Reagan reagoi e deklaroi se reklama nga qeveria e Ontarios po “përdor audio dhe video të përzgjedhura” të Reagan-it e se fondacioni po shqyrton opsionet ligjore.
Reklama e shtrembëron fjalimin presidencial të Ronald Reagan-it në radio [të vitit 1987] dhe qeveria e Ontarios as nuk ka kërkuar të marrë leje për ta përdorur apo redaktuar materialin.
Qeveria e Kanadasë ende nuk ka folur lidhur me vendimin e Trump-it.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney iu tha gazetarëve se Kanadaja nuk do të lejojë që Amerika të ketë qasje të padrejtë në tregjet e saj, nëse dështojnë bisedimet për marrëveshjet e ndryshme tregtare me Uashingtonin.
Vitin e ardhshëm, SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika pritet ta rishikojnë marrëveshjen e tyre nga viti 2020, për tregtinë e lirë kontinentale.