Bota

Amerika sulmon në Jemen, rebelët Huthi raportojnë për viktima!

Ushtria amerikane njoftoi se ka shkatërruar një port kyç të karburanteve në Jemen, që ishte nën kontrollin e rebelëve Huthi. Sipas rebelëve jemenas, nga sulmet ajrore amerikane u vranë të paktën 38 persona dhe u plagosën 102 të tjerë.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (Centcom) deklaroi se forcat e SHBA-ve kryen sulme në portin e Ras Isa-s, me qëllim që t’iu hiqnin rebelëve Huthi, që mbështeten nga Irani, një burim të rëndësishëm të furnizimeve me karburante dhe t’i privonin ata nga të ardhurat që sigurojnë nga karburantet.

Qëllimi i këtyre sulmeve ishte të dobësonim burimin ekonomik të fuqisë së rebelëve Huthi, të cilët vazhdojnë të shfrytëzojnë dhe t’u shkaktojnë vuajtje të mëdha bashkëkombësve të tyre. Ky sulm nuk kishte për qëllim të dëmtonte popullin e Jemenit, i cili me të drejtë dëshiron të çlirohet nga shtypja e rebelëve Huthi e të jetojë në paqe, shtoi ushtria amerikane.

Sulmet ajrore amerikane kanë goditur rëndë rebelët jemenas. Amerika nisi një fushatë ajrore nën urdhrin e presidentit Donald Trump, më 15 mars, me qëllim që të ndalojë sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq. Sulmet e rebelëve jemenas kanë penguar dërgesat tregtare përmes Kanalit të Suezit, e njohur si një rrugë jetike për tregtinë globale përmes detit duke detyruar shumë kompani që të ndryshojnë rrugët e transportit.

Rebelët Huthi i kanë dënuar sulmet amerikane.

Ky agresion krejtësisht i pajustifikuar përbën një shkelje të hapur të sovranitetit dhe pavarësisë së Jemenit dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mbarë popullit jemenas, u theksua në deklaratën e rebelëve, që u transmetua nga agjencia shtetërore SABA, që kontrollohet nga ata. Goditja shënjestroi një objektiv jetik civil që u ka shërbyer jemenasve për dekada me radhë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Anees Alasbahi, tha se në mesin e viktimave kishte edhe punëtorë të emergjencave.

Numri i viktimave me gjasë do të rritet, pasi ende po vazhdon identifikimi, deklaroi Alasbahi.

Ky numër i raportuar i viktimave paraqet shifrën më të lartë të bërë të ditur që kur Trump premtoi se do të autorizonte veprime ushtarake ndaj rebelëve që ata të mos paraqesin më kërcënim për transportin detar.