Showbiz

Ana de Armas shkëlqen në të zeza në premierën e “Ballerina”

Aktorja e njohur Ana de Armas mahniti me paraqitjen e saj në premierën e filmit “Ballerina” në Berlin, duke tërhequr vëmendjen me një fustan elegant të zi me dekolte të thellë dhe bizhuteri të thjeshta, të cilat i dhanë një pamje klasike, në stilin e Hollywood-it të Vjetër.

Ylli 37-vjeçar i kinemasë interpreton rolin kryesor në këtë spin-off të sagës së suksesshme “John Wick”, dhe shfaqja e saj në tapetin e kuq u shoqërua me interes të madh nga mediat dhe fansat. Ajo pozoi me elegancë përpara kamerave, duke përforcuar imazhin e saj si një nga figurat më të spikatura të momentit në industrinë e filmit.

Megjithatë, vëmendja nuk iu kushtua vetëm veshjes apo rolit të saj në film. Mungesa e Tom Cruise, për të dytën herë radhazi në premierat e filmit  fillimisht në Londër dhe tani në Berlin ka shtuar dyshimet mbi raportet mes tyre, për të cilat kanë qarkulluar spekulime në media gjatë muajve të fundit. Asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht për të sqaruar natyrën e marrëdhënies së tyre.

Ana de Armas vijon të jetë një nga emrat më të përfolur në ekranin e madh dhe jashtë tij, jo vetëm për rolet që interpreton, por edhe për mënyrën si menaxhon jetën publike dhe atë private. Premierat ndërkombëtare të “Ballerina” po e vendosin atë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes globale.