Apple ka njoftuar një sërë funksionesh të reja që do të jenë pjesë e përditësimit të ardhshëm të iOS, duke synuar mbështetjen e përdoruesve me vështirësi në shikim, dëgjim dhe aftësi të tjera të kufizuara. Të shpallura në prag të Ditës Globale të Ndërgjegjësimit për Aksesueshmëri më 15 maj, këto risi përfshijnë përmirësime në përdorimin e brajlit dhe jo vetëm. Kompania prezantoi gjithashtu “etiketat e aksesueshmërisë” për aplikacionet në App Store, duke u kërkuar zhvilluesve të tregojnë funksionet që i bëjnë aplikacionet më të aksesueshme për të gjithë.
Apple theksoi se të gjitha këto veçori janë të integruara në pajisje pa ndonjë kosto shtesë. “Ne po demokratizojmë aksesueshmërinë”-tha Sarah Herrlinger, drejtoreshë e lartë për politikat globale të aksesueshmërisë në Apple, “duke siguruar që këto mjete të jenë të disponueshme për të gjithë që në momentin që hapin pajisjen”. Ekspertët thonë se këto përditësime mund të jenë thelbësore për studentët dhe përdoruesit me aftësi të kufizuara.
Ndërkaq, presidenti Donald Trump ka shprehur pakënaqësi lidhur me planin e CEO-s së Apple, Tim Cook, për të prodhuar iPhone të destinuar për tregun amerikan në fabrika të reja në Indi. Trump ka vendosur tarifa historike mbi pothuajse të gjitha mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të nxisë prodhimin vendas, të përmirësojë balancën tregtare dhe të sigurojë të ardhura për të financuar uljet e planifikuara të taksave.
Apple do të festojë në vitin 2027, 20-vjetorin e iPhone-it legjendar dhe prej kohësh po flitet për iPhone 19 Pro, i cili pritet të sjellë ndryshime të mëdha në dizajn. Bloomberg më herët raportoi se në prodhimin e iPhone 19 Pro do të përdoret një “sasi e madhe xhami” dhe se pajisja do të ketë një dizajn të lakuar pa prerje në ekran. Një raport i ri nga Koreja e Jugut zbulon më shumë detaje rreth kësaj pajisjeje misterioze, që pritet të sjellë ndryshimet më të mëdha në dizajn që nga iPhone X i vitit 2017.