Thuhet se Apple po zhvillon në mënyrë aktive një version të kufjeve AirPods me një kamerë të integruar. Analisti Mark Gurman pretendon në raportin e tij të fundit se Apple është duke punuar në një version AirPods, që do të ketë kamera të integruara. Sipas njohurive të tij, teknologjia e lartpërmendur me shumë mundësi nuk do të shfaqet në kufjet AirPods Pro 3 dhe qëllimi i teknologjisë është që kufjet të kuptojnë më mirë mjedisin e përdoruesit.
Me këtë integrim në AirPods, përdoruesi mund të pyesë Siri-n për rrethinën e tij, pa pasur nevojë të nxjerrë iPhone nga xhepi. Analisti Mingchi Kuo gjithashtu ka sugjeruar më parë idenë se Apple mund të përfitojë nga kamerat dhe t’i integrojë ato me produktet e tjera të saj. Për shembull, ato mund të përdoren për ndërgjegjësim më të mirë mjedisor gjatë dëgjimit të audios me Apple Vision Pro. Sugjerohet se teknologjia e përmendur nuk do të debutojë në pajisjet Apple para vitit 2027 dhe me shumë mundësi do të arrijë me kufjet AirPods Pro 4.
Apple gjithashtu ka prezantuar një MacBook Air të ri. Laptopi i ri është i pajisur me çipin M4 të Apple, shtimi më i fundit në linjën e çipave të serisë M. MacBook Air vjen në dy madhësi. Klientët mund të zgjedhin midis një ekrani 33 centimetra dhe një ekrani 38 centimetra. Çmimi fillon nga 925 euro për modelin 33 centimetra, ndërsa dërgesat do të fillojnë më 12 mars. Ky përditësim ruan 16 GB RAM në konfigurimin bazë, i pandryshuar nga modeli i vitit të kaluar.
Apple njoftoi së fundmi planet për të investuar më shumë se 500 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme dhe premtoi të krijojë 20,000 vende të reja pune, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump u bën presion kompanive amerikane që të rikthejnë prodhimin e tyre në SHBA. “Apple shpall angazhimin e saj më të madh të shpenzimeve ndonjëherë, me plane për të shpenzuar dhe investuar më shumë se 500 miliardë dollarë në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme”-tha gjiganti i teknologjisë.