Aktualitet

Arrestohet në Muriqan i shumëkërkuari nga Italia!

Policia Kufitare e Muriqanit vuri në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Gjatë kontrolleve të shtuara në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe pas shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, u arrestua Spartak Joanu, 56 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Ankona, Itali, me 16 vjet e 4 muaj burg, për veprat penale “Grup kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Grup kriminal me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit”, sipas legjislacionit penal italian.

Në bashkëpunim me Interpol Romën, Interpol Tirana po ndjek procedurat për ekstradimin e 56-vjeçarit drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia në vendin fqinj.