Filmi biografik “Michael”, i kushtuar legjendës së muzikës Michael Jackson, ka shpërthyer menjëherë në arkë, duke regjistruar një debutim të jashtëzakonshëm me 97 milionë dollarë vetëm në tregun vendas.
Produksioni i “Lionsgate” ka vendosur rekord të ri për filmat biografikë muzikorë, duke lënë pas tituj të njohur si “Straight Outta Compton” dhe “Bohemian Rhapsody”.
Suksesi nuk është ndalur vetëm në Shtetet e Bashkuara. Në tregun ndërkombëtar, filmi ka arkëtuar 120.4 milionë dollarë, duke e çuar totalin global në 217.4 milionë dollarë. Shifrat tregojnë interesin e madh të publikut për historinë e “Mbretit të Popit”, pavarësisht debateve që kanë shoqëruar figurën e tij ndër vite.
Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Gjatë prodhimit, ekipi u përball me probleme të mëdha në skenar, çka detyroi prerje të rëndësishme dhe rixhirime që thuhet se kushtuan deri në 50 milionë dollarë shtesë.
Në versionin final, historia ndalet në vitin 1988, duke mos përfshirë periudhën e mëvonshme të akuzave që dëmtuan reputacionin e artistit.
Edhe pse kritikët nuk e pritën ngrohtë dhe filmi mori vetëm 38% në Rotten Tomatoes, publiku reagoi krejt ndryshe, duke e vlerësuar me notën “A-”.
Me një buxhet që i afrohet 200 milionë dollarëve dhe me këtë nisje të fuqishme, tani po shtohen spekulimet se “Michael” mund të ketë edhe një vazhdim tjetër.