Një moment i papritur tronditi koncertin e Bad Bunny në Meksikë, kur artisti portorikan rrëshqiti dhe ra në skenë teksa performonte hitin “Efecto”. Incidenti ndodhi të mërkurën mbrëma, përballë një turme të madhe fansash, të cilët mbetën të habitur për disa çaste.
Megjithatë, reagimi i Bad Bunny ishte aq i qetë sa që momenti u kthye menjëherë në një ndër skenat më të komentuara online. Reperi qëndroi ulur për disa sekonda në mes të skenës, duke buzëqeshur ndërsa publiku vazhdonte të këndonte dhe ta mbështeste me duartrokitje.
Pa hezitim dhe pa ndërprerë performancën, ai u ngrit dhe vazhdoi koncertin sikur asgjë nuk kishte ndodhur, duke treguar profesionalizëm dhe një vetëkontroll që fansat e vlerësuan jashtëzakonisht.
Pamjet e rrëzimit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, ku ndjekësit e tij e lavdëruan për mënyrën e natyrshme dhe pa drama me të cilën e menaxhoi situatën.
Bad Bunny aktualisht është në mes të turneut të tij “Debi Tirar Más Fotos”, i cili po zhvillohet në disa qytete të Meksikës. Edhe pse nuk dihet ende nëse rrëzimi ndodhi për shkak të ndonjë problemi me skenën, dritat apo këpucët, organizatorët pritet të kontrollojnë çdo detaj për koncertet e ardhshme.
Pavarësisht gjithçkaje, artisti jo vetëm që nuk u lëndua, por vazhdoi t’u ofronte fansave një show spektakolar.
Ky incident konfirmon edhe një herë pse Bad Bunny mbetet një nga yjet më të dashur dhe më karizmatik të momentit.