Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses të madh në karrierën e saj. Gjiganti muzikor Billboard ka publikuar në rrjetin social Instagram listën e 100 këngëve më të dëgjuara në historinë e muzikës country në shekullin 21 dhe në krye të kësaj liste renditet pikërisht kënga e Bebe Rexhës, “Meant To Be”. “Grafikët country të shekullit 21. Hidhni një sy listës së Billboard për këngët më të mira country të shekullit 21 në @billboardcharts, bazuar në 25 vitet e para të këtij shekulli. Renditja me 100 pozicione është përpiluar sipas performancës në tabelën javore Top Country Songs, nga fillimi i vitit 2000 deri në fund të vitit 2024. Lëvizni fotot për të parë renditjen e plotë dhe klikoni linkun në bio për më shumë detaje”-shkruhet në njoftimin zyrtar të Billboard, të cilin Bebe Rexha e ka rishpërndarë.
Kënga “Meant To Be”, e publikuar në vitin 2017 në bashkëpunim me grupin Florida Georgia Line, ka njohur sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Ajo numëron mbi një miliard dëgjime në Spotify, mbi një miliard shikime në YouTube dhe ka marrë nominime për çmime prestigjioze si Grammy, MTV VMA, MTV EMA dhe CMA. Ky hit është gjithashtu i certifikuar me çmimin “Diamond” në Shtetet e Bashkuara, një arritje që pak këngë kanë mundur ta prekin.
Rexha së fundmi, ka bërë një rrëfim prekës për ndjekësit e saj pas paraqitjes në Met Gala 2025, duke ndarë me publikun një dhimbje shumë personale. Pas eventit, Rexha u përball me një valë të kritikave në rrjetet sociale, ku u komentua ashpër për pamjen dhe peshën e saj, çka e shtyu artisten të bëjë një deklaratë të ndjeshme në rrjetet sociale. Në një postim në Instagram Story, ajo shkroi:
“Unë ndava diçka thellësisht personale dhe po, jam e zhgënjyer me veten që lejova ndjeshmërinë të më marrë përpara në një natë që duhej të ishte speciale. Jam gjithashtu e mërzitur që ndjeva nevojën të shpjegohesha. Por e di që të jesh transparent mund të ndihmojë dikë tjetër të ndihet i/e parë. Gjithmonë kam dashur të jem zë për gratë që përballen me të njëjtat gjëra”.