Rajoni

Begaj: Ndërhyrja ushtarake kundër regjimit të Millosheviç, i solli lirinë Kosovës e paqen rajonit!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj kujton 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit e që i solli lirinë Kosovës. Në një mesazh të shpërndarë në “X”, Begaj thekson se Shqipëria i mbetet mirënjohëse SHBA-ve dhe aleatëve në NATO.

Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit shtypës të Slobodan Millosheviç – një fushatë që përfundoi me sukses, duke i sjellë lirinë Kosovës dhe paqen që gëzojmë sot në mbarë rajonin.

Shqipëria mbetet, sot dhe gjithmonë, thellësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në NATO.

Më herët, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha ndau një postim në “X”, po në kuadër të 27-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe duke kujtuar rëndësinë e këtij momenti historik. Hoxha theksoi se operacioni ajror u ndërmor për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Sipas kryediplomatit, Shqipëria luajti rol kyç gjatë krizës, duke hapur dyert për mijëra refugjatë kosovarë dhe duke mobilizuar institucionet e qytetarët, për të ofruar ndihmë humanitare. Më tej, nënvizoi se “sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që ka bërë përparime të qëndrueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike e në forcimin e rolit të saj në rajon”.

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 e zgjatën 78 ditë ndërsa filluan pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviç për një armëpushim.

Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve, pati deklaruar presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Më pas, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, autorizoi sulmet ajrore në atë kohë. Kjo fushatë përbënte herën e parë që Aleanca përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Fushata përfshiu rreth 1 mijë avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali e Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt. Avionët kryen mbi 38 mijë fluturime, përfshirë 10 mijë e 484 sulmuese, pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.

Gjatë fushatës ajrore, shkatërrime apo dëme të rënda pësuan kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Malin e Zi e Kosovë, ashtu si edhe sisteme të komandës e kontrollit, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastruktura të energjisë dhe komunikimit, etj.

Në përmbyllje të fushatës, presidenti Clinton pati thënë:

Kërkesat e komunitetit ndërkombëtar janë përmbushur, përfshirë: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre. Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore, për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë.