Aktualitet Politikë

Berisha: Narkoshteti është kthyer në rrezik për Europën!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Sot, Shqipëria është kthyer në rrezik për Europën, siç u shpreh, “për shkak të narkoshtetit që ka ndërtuar Edi Rama”.

Në fjalën gjatë Dëgjesës Publike me partitë opozitare, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, organizatave, medias dhe intelektualë publikë, Berisha shtoi se vendi ynë po renditet krah Kolumbisë sa i përket trafikut të drogës.

Sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Europën. Ky narkoshtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama, për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ju rikujtoni këtu vitin e zi 2015, kur Shqipëria u mboll nga Pogoni e Kakavija gjer në kufi me Plavë e Guci, me mijëra plantacione kanabisi. Se si propaganda qeveritare u servirte shqiptarëve kanabisin si një drejtim i ri zhvillimi, pasurimi.

Politikë kjo që u kundërshtua, e vërteta është, nga njerëz të përgjegjshëm në atë qeveri.

Konkretisht, ish-zv.kryeministri paralajmëroi Edi Ramën se ky është shkatërrim i ekonomisë, kurse ai insistoi se kjo është para dhe paraja është e dobishme.

Asnjë vend, asnjë komb tjetër ndoshta në Europë, se në Amerikën Latine e kanë provuar, nuk kanë provuar si shqiptarët se sa toksike është paraja e drogës, paraja e karteleve.

Duhet t’i njohim një meritë historike presidentit Donald Trump, i cili shpalli kartelet e drogës “organizata terroriste”.

Sepse në fakt, për fuqinë e tyre shkatërrimtare, ato krahasohen dhe tejkalojnë organizatat më të fuqishme terroriste. Në këtë kuadër të karteleve organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose krahas Kolumbisë.

Shqipëria zyrtare sot është koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë për dy arsye. Së pari, sipas OKB-së, Shqipëria është eksportuesja kryesore e kanabisit në BE.

Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Europë.

Dhe çmimin e përcakton ai që sjell më shumë. Ai që është aksionari më i madh.

Dhe aksionari më i madh janë bashkëpunëtorët e Edi Ramës, Franc Çopja dhe grupe të tjera që ne as i dimë.