Aktori dhe këngëtari Bes Kallaku riktheu vëmendjen me projektin e tij më të fundit muzikor, një këngë që duket si rrëfim i hapur për periudhat më të vështira personale dhe profesionale të jetës së tij.
Rrjetet sociale shpërthyen menjëherë me aludime se disa vargje janë mesazh i koduar për ish-bashkëshorten, këngëtaren Xhensila Myrtezaj.
Një nga frazat më të komentuar është:
Janë thonë ça s’janë thonë por hiç s’i përfilli / Se mes meje dhe teje, dihet kush ishte thëngjilli
Vargje, të cilat fansat i interpretuan si një “thumb” për të shkuarën sentimentale të Besit.
Vargje të tjera pasqyrojnë zhgënjimin dhe sakrificat e pashpërblyera: “E sot po paguj borxhet që kam marrë për tjerët” dhe “Ata që i ngrita, të parët më goditën”.
Ai trajton edhe periudhën e heshtjes pas ndarjes mediatike:
Unë nuk fola vet por lash kohën që të fliste
Megjithatë, projekti nuk është vetëm reflektim mbi dhimbjen; ai përmban edhe mesazh shprese.
Bes Kallaku kujton fillimet e tij si 17-vjeçar, kur përballej me vështirësi të mëdha, duke fjetur edhe nëpër stola, para se të arrinte suksesin falë mbështetjes së publikut.
Një varg tjetër ngjall kureshtje për një person të ri ose mbështetje të papritur:
At njeri që s’ta pret menja, Zot afër ma ka pru
Ai shpreh gjithashtu ndryshimin personal:
Tash nuk kam arsye as me pas mo vese t’kqija
Kjo, duke treguar një fazë më të qetë dhe të pjekur.
Kënga shoqërohet nga një mesazh emocional i Besit:
Ky rrëfim është e vërteta ime… edhe kur preka fundin, nuk e humba kurrë Zotin… Ky rrëfim është për të gjithë ne, që kryqëzohemi, baltosemi dhe gjykohemi pa mëshirë… por serish ngrihemi. Sërish besojmë. Sërish ndriçojmë.
Me këtë projekt, Bes Kallaku përdor muzikën për të treguar versionin e tij të historisë, duke i dhënë zë ndjenjave dhe eksperiencave që për një kohë të gjatë i mbajti për vete.