Qindra besimtarë krishterë katolikë, te te gjitha moshave, u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë ku po zhvillohet riti i Udhës së Kryqit.
Riti në prag të Pashkës Katolike po udhëhiqet nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj.
“Mos të kushtëzohemi nga zhurmat, nga gjërat e tjera. Sepse Zoti është me ne. Dhe kështu braktisim me të çdo dhimbje e vuajtje. Braktisim familjet më shumë në vështirësi. Braktisim te Zoti ata të rinj dhe të reja që ndodhta ndihen të bullizuar, të paragjykuar dhe shkurajuar. Braktisim këtë mbrëmje te Zoti shumë vëllezër e motra që në mënyrë të tepruar banojnë në burgje. Thuajse burgu është çelësi i zgjidhjes së problemeve. Drejtësia represive pa përgjigje e mbyt të ardhmen, të fut frikën”, tha Dodaj.
Gjatë ceremonisë do te behen 14 ndalesa që përshkruajnë vuajtjet e Jezu Krishtit pas dënimit me vdekje në kryq.
Në Lezhë, dhjetëra besimtarë i bashkohen ritualit fetar që nisi nga qendra e qytetit dhe përfundoi në kala
Besimtarë katolikë në Lezhë kanë kremtuar të premten e zezë, apo siç njihet ndryshe “Udha e Kryqit”.
Ritualit fetar ju bashkuan dhjetra qytetar të cilët të udhëhequr nga përfaqësues të klerit katolik u nisen nga sheshi “Gjergj Kastrioti” i qytetit dhe marshuan deri në kalanë e qytetit, duke kujtuar në këtë mënyre mundimet e Jezu Krishtit.
“E premtja e madhe është dita më e rëdësishme e javës së Pashkëve dhe mesazhi qe na jep Jezu Krishti është që të jetojne në paqe dhe ta duam njëri-tjetrin”, u shpreh Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale.
“Udha e Kryqit” vjen me 14 ndalesa dhe në secilën prej tyre besimtaret bëjnë lutje dhe përkujtojnë mundimet e Jezusit. E premtja para Pashkës, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë.