Irani deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk arritën të fitojnë besimin e Teheranit gjatë raundit të fundit të negociatave të zhvilluara në Islamabad. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, tha se pavarësisht propozimeve të paraqitura nga delegacioni iranian, pala amerikane nuk tregoi gatishmëri për të ndërtuar besim reciprok.
Ne kemi vullnet dhe qëllim të mirë, por për shkak të përvojave nga dy luftërat e mëparshme nuk mund t’i besojmë palës tjetër, u shpreh Qalibaf, duke nënvizuar se mungesa e besimit është pengesa kryesore për progres në bisedime.
Ish-ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, akuzoi Uashingtonin se ka tentuar të “diktojë” kushtet e marrëveshjes, gjë që sipas tij çoi në dështimin e bisedimeve.
Shtetet e Bashkuara nuk erdhën për të negociuar, por për të imponuar, u shpreh Zarif.
Megjithatë, Teherani zyrtar falënderoi Pakistanin për rolin ndërmjetësues, duke e cilësuar si një hap që ka hapur një dritare të re për diplomacinë.