FLET - News

“Blendi Gonxhja dhe Fevziu, ideatorët e Miss Albania ’91″/Petri Bozo: Shqipëria po vdiste për bukë, këtej bëhej konkurs bukurie…

I ftuar në episodin e fundit të këtij sezoni të “Flet” nga Ilnisa Agolli, ka qenë Petri Bozo. Petri është një emër shumë i dëgjuar për publikun shqiptar, regjizor, producent, organizues i Misseve të ndryshme në vend, të tilla si Miss Shqipëria apo Universe. Në këtë intervistë, ai foli më shumë për të bukurën në vetvete por jo vetëm…

Çfarë të shtyu t’i hyje konkurseve të bukurisë?

E para, unë kam qenë bashkëregjisor me Verën tek Miss-i ku doli Bobi, Miss Albania ’91, por u bë në ’92. Kemi qenë të dy, unë kisha një regji, kemi qenë tek Piramida, aty ku ka qenë Top-i. Me trup diplomatik, se ishte një ngjarje e madhe në atë kohë. Shqipëria ishte në kolaps për bukë, ndërkohë organizon paradoksin më të madh të një gjëje. Domethënë këtej duke vdekur për bukë, këtej duke bërë konkurs bukurie. U vlerësua jashtë mase si ide. Dhe ideatorët e vërtetë, nuk kam qenë as unë, as Vera, ka qenë Blendi Gonxhja me Blendi Fevziun.

Si është arti i sotëm në sytë e tu?

Arti do të kishte evoluar shumë herë më tepër, nëse nuk do të pozicionohej artisti për të përfituar fonde dhe duke u militantizuar nga njëri krah ose krahu tjetër. Pra, nëse do të kishte atë lirinë dhe impaktin normal të krijimtarisë, pa u pozicionuar politikisht, do të ishte 10 herë më lart.