Një gjykatë italiane ka rrëzuar zyrtarisht akuzat për mashtrim ndaj influencueses së njohur Chiara Ferragni, duke i dhënë fund një prej çështjeve më të bujshme të viteve të fundit në botën e marketingut digjital dhe bamirësisë së promovuar nga VIP-at.
Rasti, i njohur gjerësisht nga mediat si “Pandoro Gate”, kishte ngritur pikëpyetje të forta mbi transparencën në fushatat bamirëse të lidhura me produkte komerciale.
Prokuroria pretendonte se konsumatorët ishin çuar drejt bindjes se blerja e një pandoroje për Krishtlindje dhe e vezëve të Pashkëve të markuara nga Ferragni do të mbështeste drejtpërdrejt trajtimet mjekësore për fëmijë.
Në realitet, sipas akuzës, donacionet ishin të fiksuara dhe jo të lidhura me volumin e shitjeve, ndërsa kompanitë e lidhura me influenceren kishin përfituar shuma të konsiderueshme financiare.
Megjithatë, gjykata vendosi se nuk kishte elementë të mjaftueshëm për të mbështetur akuzën penale për mashtrim.
“Pandoro Gate” shpërtheu pas bashkëpunimit të vitit 2022 mes Ferragni-t dhe kompanisë italiane Balocco, e cila nxori në treg një pandoro rozë me çmim rreth 9 euro, gati trefishi i një produkti standard.
Materialet promocionale sugjeronin një kauzë bamirësie për një spital fëmijësh në Torino, ndërkohë që, sipas prokurorisë, spitali kishte përfituar vetëm një donacion të vetëm prej 50 mijë eurosh, ndërsa fushata kishte gjeneruar rreth 1 milion euro për kompanitë e lidhura me Ferragni-n.
Një skemë e ngjashme u përmend edhe për vezët e Pashkëve të shitura në vitet 2021 dhe 2022, ku, sipas hetuesve, mënyra e komunikimit krijonte një “përshtypje të rreme bamirësie”.
Ferragni i mohoi vazhdimisht akuzat, duke theksuar se kishte vepruar në mirëbesim dhe në përputhje me kontratat e nënshkruara me partnerët e saj tregtarë. Pavarësisht se prokurorët e Milanos kërkuan deri në një vit e tetë muaj burg për mashtrim të rënduar, çështja penale u mbyll në favor të saj.
Megjithatë, hija e “Pandoro Gate” nuk u shua plotësisht. Në dhjetor 2023, Autoriteti Italian i Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vendosi gjoba administrative që arrinin rreth 1 milion euro ndaj kompanive të kontrolluara nga Ferragni, për praktika të padrejta tregtare.
Vendimi i fundit i gjykatës mbyll një kapitull të nxehtë, por debati mbi etikën e marketingut me influencerë dhe kufirin mes bamirësisë dhe fitimit mbetet më i hapur se kurrë.