Një proces gjyqësor në Los Angeles ka vënë sërish në qendër të vëmendjes reperen e njohur Cardi B, e cila akuzohet se ka sulmuar dhe ofenduar rëndë një roje sigurie gjatë një incidenti të ndodhur në vitin 2018.
Sipas dëshmisë së Emani Ellis, e cila në atë kohë punonte si roje sigurie në një zyrë gjinekologjike, Cardi B – shtatzënë në muajin e katërt – e pështyu, e gërvishti në fytyrë me thonjtë e gjatë dhe i drejtoi komente fyese me përmbajtje raciste.
Ellis tregoi se gjithçka nisi pasi ajo iu afrua këngëtares me telefonin në dorë, moment që reperja e interpretoi si përpjekje për të zbuluar publikisht vizitën e saj private.
Në sallën e gjyqit, Ellis deklaroi se nuk kishte bërë asnjë foto dhe se Cardi B e akuzoi padrejtësisht, madje i tha:
Pse po u thua njerëzve se më pe?
Më tej, sipas saj, reperja e kërcënoi se do ta humbiste punën, e nënçmoi fizikisht, e quajti raciste dhe tentoi ta godiste, por pa ia arritur. Ellis tha gjithashtu se nga gërvishtjet e marra në fytyrë iu desh një ndërhyrje kirurgjikale plastike.
Roja e sigurisë ka ngritur padi për sulm fizik dhe dhunë psikologjike ndaj Cardi B. Nga ana e saj, artistja ishte e pranishme në gjykatë gjatë dëshmisë, por qëndroi e qetë dhe e shoqëruar nga ekipi i saj ligjor.
Ky nuk është problemi i parë ligjor për reperen amerikane, e cila edhe më herët ka qenë në titujt e mediave për shkak të temperamentit shpërthyes dhe përfshirjes në përplasje publike.