Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar për vitin 2025 mund të anulohet për herë të parë pas 96 vitesh, për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë Los Angeles. Komiteti i Oscars ka njoftuar se po monitoron situatën çdo ditë dhe po shqyrton mundësinë e shtyrjes ose anullimit të ngjarjes prestigjioze, për shkak të ndikimit të madh që zjarret kanë pasur në komunitetin lokal.
Burime të afërta me Komitetin e Oscars kanë thënë për mediat se shqetësimi kryesor është që ceremonia të mos duket si një festë në një kohë kur shumë banorë të Los Angeles po përballen me dhimbje dhe humbje të mëdha.
Edhe nëse zjarret ndalojnë shpejt, qyteti do të vazhdojë të përballet me pasojat e tyre për muaj me radhë
– ka thënë një burim për The Sun.
Përveç mundësisë së anullimit të ceremonisë, shpallja e nominimeve për çmimet Oscar, që ishte parashikuar të ndodhte më 17 janar, është shtyrë për 19 janar. Të gjitha zhvillimet e mëtejshme do të varen nga përmirësimi i situatës në Los Angeles, ku zjarret ende vazhdojnë të përhapen.
Akademia e Kinemasë ka shprehur solidaritetin e saj me ata që janë prekur nga zjarret dhe ka dërguar mesazhe mbështetjeje për anëtarët dhe kolegët e saj.