Këngëtarja Chappell Roan është përfshirë në një situatë të bujshme, pasi është akuzuar se përmes rojes së saj të sigurisë ka frikësuar vajzën 11-vjeçare të aktorit Jude Law gjatë një incidenti në një hotel në São Paulo.
Ngjarja është bërë publike nga futbollisti Jorginho, bashkëshorti i Catherine Harding dhe njëherazi pjesë e familjes së vajzës. Sipas tij, e mitura thjesht u afrua për të parë nëse bëhej fjalë vërtet për këngëtaren, pa e shqetësuar apo ndërhyrë në hapësirën e saj.
Megjithatë, situata mori një kthesë të papritur kur një roje sigurie reagoi në mënyrë të ashpër, duke e akuzuar familjen për “ngacmim”. Sipas rrëfimit, ndërhyrja e tij ishte aq agresive saqë vajza u tremb dhe shpërtheu në lot.
Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë kritikuar mënyrën e trajtimit të një fëmije në një situatë të tillë. Deri më tani, Chappell Roan nuk ka bërë asnjë reagim publik për incidentin.