Chappell Roan është përfshirë në një polemikë gjatë qëndrimit të saj në São Paulo, pasi u akuzua se rojet e sigurisë së saj frikësuan vajzën 11-vjeçare të Jude Law.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi në një hotel, ku vajza e aktorit, Ada, iu afrua këngëtares thjesht për ta parë nga afër. Megjithatë, familjarët pretendojnë se një roje sigurie reagoi në mënyrë kërcënuese, duke e trembur fëmijën deri në lot.
Ngjarja mori përmasa edhe më të mëdha pasi nënkryetari i bashkisë së Rio de Janeiro, Eduardo Cavaliere, deklaroi se Roan nuk do të lejohet të performojë në koncertin “Todo Mundo no Rio”, që pritet të mbahet në muajin maj.
Pas reagimeve të shumta, këngëtarja sqaroi publikisht situatën, duke mohuar përgjegjësinë direkte. Ajo theksoi se roja në fjalë nuk ishte pjesë e ekipit të saj personal dhe se nuk kishte dhënë asnjë udhëzim për një sjellje të tillë.
Në të njëjtën kohë, Roan kërkoi falje nëse vajza dhe familja e saj janë ndjerë në siklet, duke tentuar të ulë tensionet pas këtij incidenti që ka nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale.