Dy ushqime që shpesh konsiderohen të lehta për tretje janë makaronat dhe orizi. Por cili prej tyre është më i butë për sistemin tretës? Makaronat e zakonshme janë përgjithësisht të lehta për t’u tretur, sidomos kur gatuhen siç duhet. Ato përbëhen kryesisht nga niseshte, të cilën organizmi e përpunon relativisht lehtë. Gatimi “al dente” konsiderohet më i favorshëm. Kjo formë ka indeks glicemik më të ulët, që do të thotë se tretet më ngadalë dhe ka ndikim më të butë si në sistemin tretës ashtu edhe në nivelin e sheqerit në gjak. Megjithatë, llojet e ndryshme të makaronave ndikojnë ndryshe.
Makaronat integrale, apo ato me bazë bishtajore si thjerrëzat apo fasulet, përmbajnë më shumë fibra dhe mund të jenë më të vështira për t’u tretur, duke shkaktuar fryrje apo parehati tek disa persona. Personat me sëmundje celiake ose ndjeshmëri ndaj glutenit duhet të shmangin makaronat tradicionale të grurit, pasi ato mund të shkaktojnë simptoma të pakëndshme. Orizi i bardhë konsiderohet një nga ushqimet më të lehta për sistemin tretës. Ai ka pak fibra dhe përbëhet kryesisht nga niseshte, duke e bërë një zgjedhje ideale në rastet e shqetësimeve si diarreja, të përzierat apo infeksionet e stomakut.
Madje, orizi është pjesë e dietës së njohur BRAT e cila rekomandohet shpesh për qetësimin e stomakut. Studimet sugjerojnë gjithashtu se një dietë e bazuar në oriz mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit të zorrëve tek personat me kapsllëk. Nga ana tjetër, orizi kaf është më i pasur me fibra dhe lëndë ushqyese, por mund të jetë më i vështirë për t’u tretur për disa persona. Orizi i bardhë, në variantet e tij si basmati apo jasemini, mbetet zgjedhja më e lehtë për stomakun.
Ekspertët e gastroenterologjisë theksojnë se në afat të shkurtër, orizi i bardhë është zakonisht më i lehtë për sistemin tretës, sidomos kur jeni të sëmurë apo keni shqetësime gastrointestinale. Megjithatë, edhe makaronat e thjeshta mund të konsumohen pa problem nëse janë të gatuara mirë. Nëse jeni në gjendje të mirë shëndetësore, rekomandohet përfshirja edhe e varianteve integrale si makaronat e grurit të plotë dhe orizi kaf, pasi ato përmbajnë fibra që ndihmojnë në shëndetin afatgjatë të sistemit tretës.