Film & Tv Magazine

Çmimet e 68-ta Grammy rikthehen sonte në Top Channel dhe Top Albania Radio për të dytin vit radhazi nën moderimin e Andi Vrapit!

Ceremonia më prestigjioze e çmimeve muzikore në botë rikthehet sonte në Shqipëri, për të dytin vit radhazi, në Top Channel, Top Albania Radio dhe Digitalb, duke sjellë në ekranet vendase “Music’s Biggest Night®”.

Sonte, më 1 shkurt, duke nisur nga ora 23:00, Çmimet e 68-ta Vjetore Grammy® do të transmetohen drejtpërdrejt në Top Channel, Top Albania Radio dhe Digitalb, me një program maratonë ekskluziv që ndjek ceremoninë e ndarjes së çmimeve në kohë reale dhe feston artistët më të suksesshëm të vitit që lamë pas. Transmetimi do të moderohet nga Andi Vrapi, i cili do të shoqërojë shikuesit gjatë gjithë mbulimit të tapetit të kuq dhe ceremonisë kryesore, së bashku me të ftuar në studio, duke vijuar deri në orët e para të mëngjesit.

Ceremonia e këtij viti do të sjellë në garë yje botërorë si Kendrick Lamar, Lady Gaga, Bad Bunny, Sabrina Carpenter, Bruno Mars, SZA dhe Justin Bieber, në kategoritë më prestigjioze, përfshirë Albumi i Vitit, Kënga e Vitit dhe Regjistrimi i Vitit.

Njëkohësisht, një brez i ri talentesh, Addison Rae, Alex Warren, KATSEYE, Leon Thomas, The Marías, SOMBR, Olivia Dean dhe Lola Young, do të konkurrojnë për çmimin “Artisti më i Mirë i Ri”, një nga vlerësimet më konkurruese të mbrëmjes.

Çmimet e 68-ta Vjetore Grammy® do të vlerësojnë profesionistët e industrisë së muzikës në rreth 95 kategori, ku shumica e çmimeve do të ndahen gjatë Grammy Awards Premiere Ceremony®, përpara galasë kryesore.Çmimet e 68-ta Vjetore Grammy® shpërndahen nga Paramount Global Content Distribution.