Rrjetet sociale janë përfshirë nga spekulimet për një martesë të mundshme mes Dua Lipës dhe aktorit britanik Callum Turner, pas publikimit të një videoje në TikTok që ka nxitur dyshime për një hap të ri në marrëdhënien e tyre.
Në pamjet që po qarkullojnë online, çifti shihet në një restorant në shoqërinë e një organizatoreje të njohur dasmash, duke bërë që fansat të aludojnë se përgatitjet për një ceremoni mund të kenë nisur në heshtje. Megjithatë, deri më tani, as Dua dhe as Callum nuk kanë reaguar publikisht për këto zëra.
Sipas raportimeve në mediat rozë, një vit pas fejesës së përfolur, këngëtarja mund të jetë duke shqyrtuar mundësinë e një ceremonie në muajin maj, në Cernobbio, pranë liqenit të Komos në Itali.
Destinacioni luksoz njihet për privatësinë dhe elegancën që ofron për evente ekskluzive, duke e bërë një zgjedhje ideale për personazhe të famshëm.
Italia nuk do të ishte një zgjedhje e rastësishme për artisten, e cila ka shprehur shpesh dashurinë për këtë vend dhe e ka vizituar disa herë për pushime dhe aktivitete profesionale.
Në qendër të vëmendjes është edhe Alessandra Grillo, organizatore italiane e eventeve luksoze, e cila u pa pranë çiftit në videon virale. E njohur për organizimin e dasmave për emra të njohur të showbiz-it europian, prania e saj ka shtuar edhe më shumë dyshimet se takimi mund të mos ketë qenë thjesht një darkë miqësore.
Pavarësisht entuziazmit të fansave dhe teorive që qarkullojnë, gjithçka mbetet në nivel spekulimi. Për momentin, publiku po pret një reagim zyrtar nga çifti, ndërsa interesimi për jetën personale të Dua Lipës vazhdon të mbetet i lartë.