Kërkimi për James Bond-in e ardhshëm mund të ketë marrë fund. Burime pranë industrisë së filmit kanë zbuluar për Mail on Sunday se aktori britanik Callum Turner, favorit absolut i basteve për të pasuar Daniel Craig, u ka thënë miqve të tij se roli tashmë është i tij.
Sipas një burimi të afërt me yllin e Fantastic Beasts, Turner është shprehur hapur se konfirmimi ka ardhur dhe se lajmi po qarkullon gjerësisht në rrethin e tij.
Është sekreti më i keq i mbajtur në qytet
-thuhet nga burimi, duke shtuar se pothuajse të gjithë e dinë tashmë se kush do të jetë agjenti i ri 007.
Nëse 35-vjeçari merr zyrtarisht rolin, producentët e Amazon mund të godasin dy herë me një gur: partnerja e tij, këngëtarja me famë botërore Dua Lipa, pritet të jetë në listën kryesore për të realizuar këngën zyrtare të filmit.
Lipa, 30 vjeç, e cila ka shkruar më parë muzikë për filma, raportohet se është entuziaste për mundësinë për t’u bashkuar me traditën e artë të këngëve të James Bond, krahas emrave si Adele, Billie Eilish dhe Sam Smith.
Marrëdhënia e tij me Dua Lipën nisi në fillim të vitit 2024 dhe çifti u fejua gjatë verës, ndërsa pushimet e tyre në GoldenEye, në Xhamajkë, vendi legjendar i Ian Fleming, vetëm sa shtuan spekulimet për lidhjen e Turner me rolin e Bond-it.
Filmi i ardhshëm, i njohur si Bond 26, pritet të jetë një nga projektet më të mëdha të Hollywood-it, me xhirime që mund të nisin këtë vit dhe premierë të planifikuar për 2027.
Skenari po shkruhet nga Steven Knight, ndërsa regjinë pritet ta drejtojë Denis Villeneuve, me Amazon që synon një Bond më të ri, britanik dhe karizmatik.
Edhe pse Amazon, Turner dhe Dua Lipa nuk kanë komentuar zyrtarisht, zërat po bëhen gjithnjë e më të fortë: duket se James Bond, i i ri është më afër se kurrë.