Një lajm i rremë që qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se këngëtarja Dua Lipa është transgjinore, ka shkaktuar reagime të forta pasi u zbulua se artikulli është publikuar me firmën e rreme të një gazetareje. Gazetarja dhe autorja Sezin Koehler ka reaguar publikisht, duke shprehur habinë dhe indinjatën e saj pasi hasi një artikull të publikuar në internet me emrin e saj, në të cilin përhapeshin pretendime të pavërteta për identitetin gjinor të këngëtares.

Ajo sqaroi se nuk është autore e shkrimit dhe se bëhet fjalë për një manipulim të qëllimshëm të një artikulli të vjetër, i cili është ndryshuar për të përhapur dezinformim. Në reagimin e saj, Koehler theksoi se historia është krejtësisht e rreme dhe se Dua Lipa nuk është transgjinore. Ajo shtoi se në versionin fals të artikullit kishte edhe gabime elementare, përfshirë shkrimin e gabuar të emrit të këngëtares, çka sipas saj tregon qartë natyrën mashtruese të përmbajtjes. Megjithëse autorja e vërtetë ka mohuar publikisht lidhjen me artikullin, pamjet e falsifikuara vazhdojnë të qarkullojnë online, veçanërisht sa herë që Dua Lipa flet për mbështetjen e saj ndaj komunitetit LGBTQ+.
Ndërkaq, rikujtojmë se aktori britanik Callum Turner ka surprizuar me deklaratën e tij më të fundit, duke zbuluar se po rishikon me kujdes rolet që pranon në film dhe televizion. Në një intervistë për Variety, Turner ka treguar se tashmë po shmang projektet që përfshijnë skena puthjeje me koleget e tij. Sipas aktorit, ky vendim lidhet drejtpërdrejt me dëshirën për të mbrojtur jetën e tij private dhe marrëdhënien me partneren, këngëtaren me famë botërore Dua Lipa, me të cilën tashmë është i fejuar.