Aktori i nominuar për Oscar Timothée Chalamet është përfshirë në një debat të madh në botën e artit skenik pas një deklarate të tij për baletin dhe operën.
Gjatë një bisede me aktorin Matthew McConaughey në University of Texas në muajin shkurt, Chalamet po diskutonte për përpjekjet për të ruajtur industrinë e kinemasë kur bëri një koment që shkaktoi reagime të shumta.
Nuk dua të punoj në balet apo opera, apo në gjëra të tjera ku është si: ‘Hej, mbajeni këtë gjë gjallë, edhe pse nuk i intereson më askujt’
-u shpreh ai gjatë bisedës.
Aktori më pas shtoi se kishte respekt për artistët e këtyre fushave, por deklarata e tij nuk kaloi pa reagime nga komuniteti artistik.
Mezzo-sopranoja kanadeze Deepa Johnny e quajti këtë një qasje “zhgënjyese”, duke theksuar se artistët duhet të mbështesin njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë për të mbajtur gjallë format e ndryshme të artit.
Edhe aktorja e njohur Jamie Lee Curtis reagoi në rrjetet sociale, duke pyetur:
Pse një artist duhet të sulmojë artistë të tjerë?
Nga ana tjetër, artisti amerikan Franz Szony kritikoi ashpër deklaratën e Chalamet, duke theksuar se baleti dhe opera janë forma arti që ekzistojnë prej shekujsh dhe kërkojnë disiplinë dhe talent të jashtëzakonshëm.
Reagime pati edhe nga komuniteti i baletit. Koreografi Martin Chaix u shpreh se këto forma arti janë ende shumë të gjalla dhe se, në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po transformojnë industrinë e filmit, prezenca e drejtpërdrejtë njerëzore në balet dhe opera bëhet edhe më e rëndësishme.
Ndërkohë, vetë Chalamet pranoi me humor se deklarata e tij mund të kishte shkaktuar polemika, duke thënë se ndoshta kishte bërë një kritikë të panevojshme që do të sillte debat në publik.