Aktualitet

Dëme masive nga zjarri te “5 Maji”, tregtarët: E gjithë jeta jonë aty!

Zjarri që mbrëmjen e djeshme përfshiu magazinat e mallrave të shumicës në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ka shkaktuar dëme të shumta materiale.

Për disa orë u shkrumbua  dhjetëra dyqane shumice. Tregtarët thonë se kanë pësuar dëme të mëdha ekonomike.

Humba gjysmën e kapanonit, rreth 1 milion euro mund të jetë vetëm dëmi i mallrave. Vlera totale këtu mund të jetë shumë më e madhe, sepse këtu janë magazina shumice.

Ky nuk është treg rrobash të përdorura. Ky është treg industrial. Është tregu më i madh i shumicës që furnizon të gjithë Shqipërinë. Këtu vijnë biznese dhe klientë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, u shpreh një tregtare.

Një tjetër tregtar tha se vlera e mallit që ka humbur është mbi 200 milion lekë. Ai pohoi se bizneset nuk i kanë të siguruara.

Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Vlera e mallit sa të duash mbi 200 milion lekë, po të tjerët që kanë më shumë. Vajza ime kishte dy dyqane. Jemi në qiell të hapur.

Asnjëherë nuk na kanë kërkuar të iknim. Nuk i kemi pasur të siguruara bizneset, nuk na i siguronin. Kemi shkuar tek sigurimet dhe me këtë lloj ndërtimi nuk e merrnin përsipër. Unë paguaja 517 mijë lekë, vajza më shumë se 1 milion lekë. Ka plas zjarri tek panelet, nuk është për fajin tonë. E gjithë jeta jonë ishte këtu. Nuk kam ku të shkoj.

Dy kapanonet e djegura A dhe B në tregun e rrobave në zonën e “5 Majit” në Tiranë raportohet se kanë më shumë se 100 magazina, me një hapësirë totale rreth 10 mijë metra katrorë.

Zjarri masiv nisi në orët e pasdites së djeshme dhe u desh ndërhyrja e disa forcave zjarrfikëse, nga Tirana, Vora, Kamza, Elbasani si dhe ushtrisë, për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ende nuk ka një variant zyrtar në lidhje me shkakun e zjarrit, po paraprakisht dyshohet të jetë shkaktuar prej elektricitetit.