Politikë

“Dëmshpërblim për dëmet nga zjarri”/ Rama: Në tokat e djegura s’ka leje ndërtimi për 30 vite, i rimbjellim përmes dronëve!

Mbrojtja civile dhe shërbimi zjarrfikës do të hyjnë në një fazë të gjerë reformimi për të arritur standardet e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.

Në prezantimin e paketave ligjore dhe nismave në kuadër të këtij reformimi, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur në një aktivitet nga Farka, se të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme në banesa dhe bagëti nga zjarret e verës 2025, do të dëmshpërblen që të gjithë përmes një akti normativ që do të dalë së shpejti nga Qeveria.

“Ashtu sikundër e bëmë të qartë që në momentin e vetë përballjes me zjarret, angazhimi moral dhe ligjor lidhur me banesat dhe krerët e humbur të bagëtive do të mbahet pikë për pikë. Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti, do dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Kjo besoj është shumë e rëndësishme”, tha Edi Rama.

Rama theksoi gjithashtu se sigurimi i banesave dhe bizneseve nga fatkeqësitë natyrore, të tilla si zjarret apo tërmetet, do të bëhet i detyrueshëm me ligj. Sipas Kryeministrit, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka një ligj të tillë.

“Të gjithë duhet të marrin masa të përfshihen në skemën e  re sigurimit nga fatkeqësitë natyrore, gjë që do ta sanksionojmë edhe në ligj. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk e ka një ligj të tillë. Këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë, por është fjala edhe për sipërmarrjet, njësitë e biznesit që duhet të sigurohen”, u shpreh kryeministri.

Sa i përket zjarreve, Kryeministri bëri një deklaratë të qartë kur tha se për tokat që digjen, nuk do të jepet leje ndërtimi për 30 vite. Por ato toka të djegura, do të mbillen e kultivohen sërish.

“Kemi  bërë ndërhyrje ligjore të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi 30 vjet. Pra, nëse një territor i cili është si të thuash hap oreks për të ndërtuar digjet, për 30 vjet aty nuk do jepet leja e ndërtimit. Ta kenë të qartë të gjithë se djegia nuk të sjell në kushtet që të thuash se nuk ka pemë aty dhe dua të ndërtoj. 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do rimbillet”.

Për kultivimet e tokave të djegura, Edi Rama premtoi se do të përdoret teknologjia e re përmes dronëve që do të blihen së shpejti nga shteti shqiptar. Në fokus është edhe blerja e avionëve zjarrfikës.

“Kemi përgatitur dhe jemi duke u marrë përditë qoftë me porositjen e dronëve me kamera termike për të monitoruar në kohë reale pyjet dhe kapur sa më shpejt sinjalin e zjarrit, ashtu sikundër jemi duke vlerësuar porositë për dronët që bëjnë mbjellje. Ky element tjetër i rëndësishëm që mendojmë për ripërtëritjen e atyre që digjen nga zjarret. Dhe këtu nuk harroj edhe nevojën që ta pasurojmë flotën tonë ajrore edhe me avionët zjarrfikës hap pas hapi. Po ashtu, kemi filluar punën për sistemet e hershme të alarmit duke krijuar qendra të integruara për reagim të shpejtë me mjete tokësore”.

Kryeministri përgëzoi maksimalisht zjarrfikësit dhe tha se për ta do të ketë një vlerësim dinjitoz, duke përfshirë edhe rritjen e pagave për ta.

“Zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje. Do të thotë që ndër të tjera, zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të FA, që sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave me synimin që në Shqipsërinë 2030, ne të kemi një forcë të armatosur të Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s. Synim ambicioz për të realizueshëm, sot kemi FA më të mirëpaguara të rajonit. Në këtë formulë do të fusim edhe zjarrfikësit, që do të bëjmë rritje të vazhdueshme të pagës, shumë e rëndësishme dhe të domosdoshme”.

Kurse për zjarrvënësit, Edi Rama paralajmëroi ashpërsim të masave në Kodin Penal.

“Ana tjetër e medaljes janë zjarrvënësit, të cilët do të kemi shtrëngim të ri në Kodin Penal. Është përgatitur dhe do të kalojë për konsultim publik bashkë me masat e tjera që lidhen me aktivitetet e paligjshme në dëm të territorit e pronës publike dhe ndërtimet e paligjshme”.

Të pranishëm në aktivitetin për prezantimin e nismave në lidhje me mbrojtjen civile, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu si dhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.