Ish-drejtori i AKU-së në Durrës u arrestua nga policia në ambientet e zyrës. Sipas burimeve policore, rezulton se pas marrjes së vendimit për largimin nga detyra, ish‑Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka shfaqur probleme në sjellje.
Të premten, ai është kthyer në zyrë duke shpërthyer në veprime të dhunshme duke shkatërruar kompjutera dhe objekte të ndryshme pune, si edhe ka përdorur gjuhë kërcënuese ndaj punonjësve të institucionit.
Situata brenda ambientit të AKU-së në Shkozet të Durrësit u tensionua menjëherë, ndërsa stafi ka treguar frikë dhe shqetësim nga veprimet e ish‑drejtorit Varaku.
Policia ka ndërhyrë pas marrjes së njoftimit dhe e arrestoi në flagrancë. Gjatë dekadës së fundit, 41-vjeçari nga Shijaku ka mbajtur poste të ndryshme drejtuese në Durrës.
Hetimet për incidentin vazhdojnë, ndërsa në fillim të javës së ardhshme pritet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij në gjykatë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E.V., 41 vjeç, banues në Shijak, ish-Drejtor i AKU-së Durrës, pasi në ambientet e AKU-së ka shkatërruar objekte të ndryshme pune.
Gjithashtu ka përdorur gjuhë kërcënuese dhe fyese ndaj punonjësve të institucionit. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme proceduriale, thuhet në njoftimin e Policisë.