Aktualitet

Dënimi në Greqi, Këshilli i Lartë Gjyqësor fut në rend ditë çështjen e gjyqtares Irena Gjoka!

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të fusë në rendin e ditës çështjen që i përket gjyqtares Irena Gjoka. Prokuroria e Posaçme, SPAK regjistroi një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e akuzuar se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Kallëzimi ishte depozituar në SPAK nga Adriana Kalaja.

Sipas SPAK-ut, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGJ-së, që është organi kompetent që duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën, përfshirë dënimin penal në Greqi. KLGJ që shqyrton ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.