Rajoni

Dështon edhe përpjekja e 25-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

Për të njëzetepestën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan sot të konstituonin përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ligjvënësit refuzuan për të shtatëmbëdhjetën herë rresht që të formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të parlamentit.

Çështja e votimit të fshehtë që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arrin në disa votime të marrë 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se nuk është kushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses:

Merrni një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtoni këtë lëndë dhe të merrni një vendim.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, sot në vazhdimin e seancës së konstituimit që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë. Seanca do të vazhdojë të mërkurën e 4 qershorit.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës: raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe betimin e deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. Ndërkaq, LDK-ja bën të qartë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe ndonëse ka kërkuar një marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër përveç saj.

Deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për të konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.