Disa prej kompanive më të njohura amerikane si Apple, Google, Ford, Harley-Davidson dhe Exxon Mobil, por edhe marka të tjera botërore, kanë ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me kompanitë ruse, duke dënuar ashpër luftën në Ukrainë. E para ishte kompania Apple që tha se ka pezulluar shitjet e telefonave iPhone dhe produkteve të saj të tjera në Rusi, duke shtuar se ka ndryshuar edhe aplikacionin e saj të hartës, për të mbrojtur civilët në Ukrainë.
Ata që shkojnë në versionin rus të Apple Store në internet shohin formulimin “aktualisht nuk disponohet” në të gjitha produktet. Edhe Google ka përjashtuar botuesit shtetërore rusë nga çdo lajm i saj, ndërsa Ford Motor tha se zyrtarisht ka ndërprerë çdo marrëdhënie me prodhuesit e saj rusë.
Të njëjtat vendime morën edhe Harley Davidson, Exxon Mobil, duke iu bashkuar hapave të ndërmarrë më herët nga gjigandët britanikë të energjisë Shell dhe British Petroleum. E fundit që ndërpreu marrëdhëniet ishte kompania Boeing, që pezulloi shërbimet për mirëmbajtje dhe suportin tenik për linjat ajrore në Moskë dhe përkohësisht, për shkak të konfliktit ushtarak, mbylli edhe zyrën në Kiev.
Së fundmi, edhe YouTube vendosi të bllokojë kanalet e dy mediave shtetërore ruse, ‘Russia Today’ dhe ‘Sputnik’, në të gjithë Europën, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në një deklaratë të postuar në Twitter, ‘Google Europe’ tha:
Për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, po bllokojmë kanalet që lidhen me RT dhe Sputnik në Europë. Skuadrat tona po vazhdojnë të monitorojnë situatën minutë pas minute dhe do të ndërmarrim veprime të shpejta.
Ndërkaq, një javë nga agresioni rus në Ukrainë dhe tashmë, Moska kontrollon të parin qytet të madh të fqinjit, Khersonin. Ky qytet përbën një pikë strategjike që iu lejon rusëve të kontrollojnë një pjesë të rëndësishme të rajonit jugor të Ukrainës, si dhe iu mundëson zhvendosjen më në perëndim, në Odesë.