Bota Lifestyle

Djemtë e Gen Z po rikthehen në kishë: një valë e re besimi po përhapet në SHBA?

Një valë e re besimi po përhapet mes brezit më të ri në Shtetet e Bashkuara. Sipas një studimi të fundit nga Barna Group, djemtë e Generatës Z po i rikthehen kishës me ritme më të larta se kurrë më parë, duke kaluar edhe brezin e Millennial-ëve në pjesëmarrje fetare.

Ekspertët e konsiderojnë këtë si një “rikthim të qetë, por domethënës” në jetën shpirtërore të të rinjve amerikanë.

Daniel Copeland, nënkryetar i kërkimeve në Barna, e cilësoi këtë prirje si “lajm të mirë për udhëheqësit fetarë”, duke theksuar se shumë prej këtyre djemve po kërkojnë diçka më të thellë dhe autentike përtej botës digjitale.

Sot po shohim një zhgënjim të qartë me jetën virtuale. Shumë të rinj ndjejnë një boshllëk emocional dhe po kërkojnë kuptim përmes besimit dhe përkatësisë shpirtërore

-u shpreh Copeland.

Ndërkohë, tendenca është e kundërt për vajzat e Gen Z. Studimi tregon se ato po largohen me ritme të shpejta nga institucionet fetare, duke përmendur mungesën e përfaqësimit, mosbesimin ndaj strukturave tradicionale dhe përplasjet me normat kulturore, veçanërisht në kampuset universitare.

Megjithatë, shenjat e një zgjimi të gjerë shpirtëror janë të dukshme. Vetëm në vitin 2024, shitjet e Biblës në SHBA u rritën me 22%, ndërsa mbi 20% e të rinjve të Gen Z raportuan se lexojnë më shpesh tekstet e shenjta.

Një brez që dikur konsiderohej “më pak fetar”, duket se po e vendos sërish besimin në qendër të jetës së tij.