Celebrities Ndryshe

Do të zgjidhte famën apo DJ Gimbo? Selin tregon gjithçka dhe zbulon nëse kanë plane për martesë!

E ftuara speciale e kësaj mbrëmjeje në “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro është pikërisht Selin Bollati, e cila vjen menjëherë pas triumfit të saj si fituese e edicionit të pestë të Big Brother VIP Albania. Në një intervistë ekskluzive, ajo zbulon prapaskenat e eksperiencës së saj brenda shtëpisë, emocionet e forta që ka përjetuar dhe mënyrën si kjo aventurë i ka ndryshuar perspektivën për jetën dhe karrierën.

Rrugëtimi i saj në spektakël u karakterizua nga qëndrueshmëria, vendosmëria dhe aftësia për të përballuar çdo situatë me qetësi dhe inteligjencë. Nga sfidat e përditshme, te marrëdhëniet me banorët e tjerë dhe momentet kyçe që e çuan drejt finales, ajo arriti të ndërtojë një lidhje të fortë me publikun. Sot, pas fitores, ajo po shndërrohet në një nga emrat më të komentuar, me projekte të reja në horizont dhe një histori suksesi që sapo ka nisur.

Një nga ngjarjet më të komentuara gjatë rrugëtimit të saj në Big Brother VIP Albania ishte pa dyshim historia e dashurisë që lindi mes saj dhe DJ Gimbo. Mes sfidave, izolimit dhe emocioneve intensive që sjell jeta brenda shtëpisë, lidhja e tyre u zhvillua natyrshëm, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe duke u kthyer në një nga temat më të përfolura të spektaklit. E pyetur nëse e ka menduar për një martesë, apo e ka vendosur, Selin u përgjigj si më poshtë:

Nuk e kam vendosur. Është shumë herët. Jo, se kam vendosur.

Nëse në këtë moment do të zgjidhte famën në vend të Gimbos, ose Gimbon në vend të famës, cila do të ishte zgjedhja e saj?

Në këtë pikë që jam, jam shumë e lumtur që fama nuk më ka penguar që të jem me Gimbon. Dashuria ose është, ose nuk është. Nuk është nga 1-10, nga 1-100. Ose është, ose nuk është. Kështu që është.