Dolly Parton ka njoftuar shtyrjen e koncerteve të planifikuara në Las Vegas, pasi po përballet me probleme shëndetësore që kërkojnë disa procedura mjekësore.
Ikona 79-vjeçare e muzikës country ishte parashikuar të performonte në dhjetor në “The Colosseum” të Caesars Palace, por shfaqjet do të mbahen tashmë në shtator të vitit 2026.
Në një mesazh për fansat, Parton shpjegoi se ka nevojë për kohë shtesë për rikuperim dhe përgatitje:
Dua të jem në formën më të mirë për ju, sepse ju meritoni një performancë të plotë. Nuk është vizita e zakonshme te kirurgu plastik, por disa procedura të tjera që më duhen për shëndetin tim
-tha ajo me humor.
Edhe pse nuk dha detaje të plota, artistja ka zbuluar së fundmi se ka pasur probleme të shkaktuara nga një gur në veshka, të cilat e detyruan të tërhiqej edhe nga një event në parkun e saj tematik, Dollywood.
Megjithatë, këngëtarja e hiteve si “Jolene”, “I Will Always Love You” dhe “9 to 5” theksoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga muzika.
Zoti nuk më ka thënë ende që të ndalem
-u shpreh ajo.
Organizatorët kanë bërë të ditur se biletat e blera për datat e dhjetorit do të jenë të vlefshme për koncertet e reja, ndërsa do të ofrohen edhe rimbursime për ata që nuk mund të marrin pjesë.